Tregime nga Malesia e Gjakoves
n’Malsi t’Gjakovs
Tregime
S’e di ti çka ka në bark
I kishte pasë vdekë baba Kolë Zefit dhe e kishte pasë lanë jetim. Kola ishte veç pesëmbëdhjetë vjeç. Kishte edhe një vëlla ma të vogël, Ndrecën. Ndreca ishte trembëdhjetë vjeç.
Qysh ka qenë zakon te na, djalit të madh i takon me qenë i zoti i shtëpisë, prandaj edhe nana e tij i dorëzoi qesen djalit të madh, Kolës, dhe i tha:
- Djali em, prej sodit e mbas ti je zot shpije, e ke për detyrë me u kujdesë për tana gjanat si të ishe burrë i madh. Qé qesen e babës .
Kola e muer qesen me pare dhe të nesërmen, bashkë me disa zot shpijash të tjerë të katundit, dolën në qytet.
Kur u kthye në shtëpi, as darkë nuk hangri, e shkoi me fjetë.
Kështu i ndodhte Kolës çdo ditë pazari.
Kur u kthye një mbramje prej pazari, e ama i’u lut me hangër bukë si gjithmonë, por edhe Kola si gjithmonë i tha së amës:
- Nanë, mos ma përmend bukën, se me e dijtë ti se çka kam unë në krye, s´ma kishe përmendë bukën.
Kështu thonte Kola gjithmonë dhe e ama filloi me u ba dyshim se djali po i shkonte dam tue mbajtë dertet e shtëpisë. Asaj i dhimbej ma tepër pse ishte i ri.
Ndreca, tue e pa nanën mërzitë për Kolën, vendosi me e ndjekë atë dhe zot shpijat e tjerë të katundit dhe pa ra në sy, i përcolli deri në pazar.
Kur çka me pa! Kola me shokët e tij futen në një kafe e porosisin qingj e pije e tue ba kokërren e qejfit.
Kur u kthye Kola në shtëpi, i tha e ama:
- Kolë, djali em, a po afrohesh me hangër një dromcë bukë?
- Nanë, – i tha Kola – me e dijtë ti se çka kam në krye unë, nuk ma kishe përmendë bukën.
- Besa, moj nanë, me e dijtë ti se çka ka në bark Kola, nuk i’a kishe përmendë bukën me lang djathi – foli Ndreca.
Zot shpije nuk asht kollaj me kanë
Ishin kanë dy vëllazen, Pjetër dhe Llesh Lazri. Ata shkonin shumë mirë njeni me tjetrin deri sa u martuen. Pjetri ishte i meçem, dahej në shej në mbarë Malësi. E kalonte kohen në kal të shalës tue nda pleqni. Kurse Lleshi ishte shumë punëtor e merrej me punët e shtëpisë.
Kur u martuen, gratë, si gjithkund, shtinë fitilin në mes tyne. Grueja e Lleshit i thotë një ditë të shoqit: – More qyqan, qysh nuk po e merr vesht ende se vëllaj yt asht tue të shfrytëzue? Ti punon natë e ditë e ai veç shëtit në kal të shalës. Pse nuk po i thue me i ndërrue një herë, ti me dalë me ndà pleqni e ai me punue? – Besa, mirë e ke – i tha i Lleshi.
Kur u err nata, i thotë Lleshi Pjetrit:- Bacë, due me të pvetë diçka?
- Për mirë koftë, – ia kthen i vëllaj.
- A mos po te duket pak si e padrejtë kjo puna jonë. Unë puno natë e ditë e ti shëtit në kal të shalës. Çka ta merr mendja me i ndërrue pak?
- I ndërrojmë – tha Pjetri.
I kallëzuen njani tjetrit se çka kishin ndër mend me ba ditën tjetër dhe i ndanë punët. Lleshi i hipi kalit të shalës dhe shkoi në një vend me u takue me do pleq ku duhej nda një pleqni. Sa shkoi në ate odë, njani prej pleqnarëve, me e ngucë Lleshin e ri, i dha një mollë.
- T’u rritë ndera, – i tha ky, dhe nxori briskun me pre mollën.
Plaku, që i dha mollën Lleshit, tha:
- E gjeta!
- Çka gjete, more?- e pveten pleqtë.
- Briskun dhe hajnin e briskut – tha plaku. – Kahdo kam shkue, u kam dhanë njerëzve ka një mollë me hangër, e kam pritë kur ta nxjerrin briskun me e pre a mos asht brisku em dhe tash e gjeta kush ma paska pasë vjedhë.
Lleshi i ri, që kishte veshë teshat e vëllajt, dhe briskun e kishte të vëllajt, e nuk e dinte se ku e kishte marrë i vëllaj, prandaj tha:
- O burra, unë nuk jam i zoti me ju ba be, se as brisku e as teshat nuk janë të mijat, po të vëllajt tim, e ai vjen nesër e jua ban benë.
Lleshi kthehet në shtëpi. Sa takohet me të vëllanë, pvesin njani tjetrin si e kishin kalue ditën?
- Ma keq nuk ka – tha Pjetri. – Le se nuk munda me prue dru në shtëpi, po edhe kerri m’u ka thye.
- Kollaj puna e kerrit – tha Lleshi, – atë e rregulloj unë.
- Po ti, qysh e kalove?- e pveti Pjetri
- Mos pvet – tha Lleshi dhe i kallëzoi se çka i kish ndodhë.
- Punë e kallajtë – tha Pjetri.- Këte punë e rregulloj unë, po kerrin ndreqe ti.
Të nesërmen Pjetri i hipi kalit të shalës dhe shkoi me u takue me pleqt që ia kishin ba vëllajn hajn. Hyni në odë të burrave dhe u tha:
- I kujt asht ky brisk, burra?
- I emi, – tha plaku që i kish thanë të vëllajt se ia kishte vjedhë. – Gjithkund kah kam shkue, u kam qitë njerëzëve molla me hangër, pale a po e nxjerr kush briskun tem me pre mollën e të gjeja hajnin, e brisku u gjet te ju.
- Po a di ti se ku e ke hupë këtë brisk ?
- Jo – tha plaku.
- E di unë, – tha Pjetri dhe u kthye ka pleqnartë tjerë. – Burra, kur e kam gjetë babën tem të vdekun, këtë brisk e kam gjete në shpinë të tij. Gjithëkah kam shkue, e kam nxjerrë me pre molla, pale a mos po i del i zoti, dhe qysh po e shihni, e gjeta njeriun që më ka mbytë babën e që më ka gjakun borxh.
Atëherë pleqnarët i kallëzuen se veç kanë dashtë me provue se çfarë pleqnari ishte i vëllaj i qeshen të gjithë.
Pjetri u kthye në shtëpi me ngatërresë të rregullueme dhe vëllaj me kerr të ndrequn, e kështu, prej asaj dite, secili bani punën e vet e nuk u përzien në zanat të njani tjetrit.
Me kanë i meçem
I kishte vdekë baba Nosh Prenkës dhe e kishte lanë shumë të ri. Noshi kushëri e te afërm te tjerë nuk kishte pasë. Nana e tij ishte bijë soji dhe e kishte edukue mirë Noshin. As ai nuk bante gja pa e pvetë t’ amen, edhe pse ishte zot shtëpije.
Një dite prej ditësh, në kohën e Turqisë, kishte pasë ardhë një hoxhë tue mundue me ia mbushë mendjen Noshit me u ba mysliman. Noshi, që nuk bante gja pa e pvetë t’ amen, kur i premtoj hoxha tokë e pasuni, i tha:
- Unë nuk baj kurrgja pa e pvetë nanën, hoxhë efendi.
- Ani pvete, pra – tha hoxha kur e pa se nuk bante ndryshe.
Noshi, prej odës së burrave ku po rrinte me hoxhën, i thirri s’ ames e i tha:
- Nanë, hoxha po më thotë me e ndrrue fenë, se në e ndrrofsha, ka me më dhanë tokë e pasuni. Çka po thue ti, moj nanë?
Nana e tij, prej shtëpisë se zjarrit ku ishte tue ba ranget, tha:
- Hajt, djali em, hiqju hoxhës, se me kanë ai i meçem, mbështjell veshët me shall e jo kapuçin.
Hoxha, kur e pa se nuk po iu shitshin dokrrat, mblodhi çaklat dhe shkoi.
Partia juaj
Një herë në katundin tonë, mbas luftës së Dytë Botënore, kishte pasë ardhë Fadil Hoxha.
Atëherë katundi kishte pasë krejt pak pleq.
Gjatë asaj ndeje Fadili kishte folë pa ndërpre, kurse pleqtë vetëm kishin ndigjue. Fadili bahet nervoz me ta, se nuk po flitshin asnjë fjalë e filloi me i ngacmue. Në një farë kohe, u tha:
- Çka dini ju pleqtë. Ju patlixhanat e kuq i keni gjuejtë e nuk i keni hangër!
Njani prej pleqëve i thotë :
- Po, ashtu asht, atëherë i kemi gjuejtë, se kemi pasë gja e bylmet me bollëk, s´na ka ra ndërmend për ta, por tash, prej që ka hy Partia, i hamë edhe patlixhanat e verdhë!
Nalja pak fitilin llampës
Në Novoselë të Epërme, në njanën nga shpijat ma të njohuna, ishte Zot shpije Marku, plak i nderuem dhe i urtë, e tanë familja e thirrnin “baba Mark”.
Nji ditë prej ditësh në kullën e tyne vijnë do miq dhe Kola (nipi), simbas traditës, u shërbeu miqve me duhan e raki, por njiherit edhe me folë, folke bukur shumë.
Marku, kur e pa se Kola ma shumë po i bezdiste miqtë me bisedë se sa po i mbante me muhabet, i tha:
- Kolë, babë, nalja pak fitilin llampës, se asht ka harxhon shumë e pa nevojë!
Kola e mori vesht se ku e kishte fjalën Marku dhe u tërhoq dhe i la rend të Zotit të shpisë të mirrej me miqtë.
Bane Zot musliman
Në nji katund të Rekës Keqe kish pasë mbetë veç nji shpi katolike e krejt katundi musliman. Çohet nji ditë njani, nji fukara, e del në katund tue lypë kije për me muejtë me e levrue arën, po kurrkush nuk ia japin. Shkon ky tek katoliku e ai ia jep kijet. Kur kthehet në shpi, e pvetë e ama:
- He, djali im, kush t’i dha këta kije?
-Krejt katundit ia lypa e nuk m’i dha, veç ai katoliku në fund të katundit m’i dha.
- Hej, shnet ju baftë, e i madhi Zot e baftë musliman, se burrë i mirë qenka, – i tha e ama.
– Jo, nanë – ia kthen i biri, – jo ishalla, kurrë mysliman mos u baftë, se me u ba edhe ai mysliman, s´ka kush m’i jep kijet ma.
Bukë të bardhë e faqe të zezë
Prenkë Tahiri i Dolit kish pasë jetue përpara në rrethinë të Pejës. Ma vonë e kish pasë lshue atë vend e dalë në Dol të Gjakovës me shpi.
Kur e pveten :
- Pse e lëshove atë vend, ku e ke pasë tokën nën vadë, e tana të mirat, e erdhe e u përplase këtu në kodër të Dolit, me tokë pa vade e me baltë deri në fyt?
Prekë Tahiri e çoi pak plisin dhe fshiu pak djersët me nji shami e foli ngadalë:
- Kush do bukë të bardhë e faqe të zezë të shkojë atje.
– Po pse, o Prekë?- i thanë?
– Atje gjithçka në e paçin me bollek, burrninë e kishin me grat. Ata u haheshin se kush prej tyne e flet ma mirë shkinishten. Për me e folë mirë, ma se pari duhet me e dashtë, atëherë me e mësue, e atëherë me e folë. E aty për mue s’ka vend - tha Prenkë Tahiri.
Musliman, pasha Krishtin
Në kohën e turkut kishin dalë ushtria në hymje të qytetit të Gjakovës e i keqtrajtojshin njerëzit. Në atë kohë ishin në modë “shartet e turqnisë”, (hyp se të vrava e zdryp se të vrava).
Kujt i’a vejshin synin me e rrahë, e pvetshin :
-Sa sharte i ka turqnia ?
E pa e marrë parasysh sa sharte thoshte, këta e rrahshin e i thojshin:
- S’asht qashtu, pse po rren, – dhe lajshin lesh në ta.
Njani prej Dolit e provoi këtë “qull” .
-A je katolik a musliman – e pvetën ata?
Ky e diti se shka do të thotë, e hangër se e hangër, po me thanë katolik, këta ishin turq e u tut se po e mysnin krejt e vendosi me i rrejtë, po prej tute, i’u ngatrruen fjalët e u tha:
-O jam mysliman, pasha Krishtin.
Marre nga libri “Tregime nga Malesia e Gjakoves” – Xhenc Bezhi
