Prona dhe shteti
Prona dhe shteti
Dëgjojmë shpesh që në Shqipëri edhe pse kanë kaluar 20 vite demokraci akoma nuk është zgjidhur problemi i pronës private. Kjo është mëse e vërtetë sepse në Shqipëri egzistojnë ligjet por nuk zbatohen si duhet. Edhe në sistemin komunist u zgjodh një sistem prone me bazë pronën e përbashkët proletare shtetërore , e cila pas rrëzimit të këtij sistemi në vitet 90, u kthye në pronë private pa pronar. E them pronë private pa pronar sepse lëvizjet e popullsisë drejt zonave më të zhvilluara u shoqëruan me pushtimin e tokave mbi të cilat ndërtuan shtëpi,kioska,vila dhe pallate dhe i shpallën prona private. Kjo situatë vazhdo edhe sot dhe janë krijuar struktura shtetërore që ligjërojnë këto lëvizje “pushtuese”. ALUIZNI, një institucion i cili ligjëron një pronë e cila nuk është fituar sipas mënyrave klasike të përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërsië . Vetëm me anën e këtyre mënyrave mund të fitohet prona dhe e drejta e pronësisë mbi një send të luajtshëm ose të palusjtshëm.
Ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta, parashikon në Nenin 41, pika 2 që : “Prona fitohet me dhurim,me trashëgimi,me blerje dhe me çdo mënyrë tjetër klasike të parashikuar në Kodin Civil”.
Kjo dispozitë e thotë qartë dhe në mënyrë të prerë se cilat janë mënyrat e fitimit të pronësisë dhe ku duhet të referohemi më hollësisht për të njohur këto mënyra, pra Kodi Civil. Hapim Kodin Civil dhe në Kreun II të këtij kodi janë përcaktuar Mënyrat e fitimit dhe Humbjes së pronësisë. Ne na interesojnë mënyrat e fitimit të pronësisë dhe nëse i grupojmë spas një lidhje organike do të dilnim në përfundimin se pronësia fitohet me:
1. Kontratë
2. Parashkrim fitues
3. Trashëgimi
Kontrata përfshin gjithë llojet e kontratave të cilat realizojnë qëllimin përfundimtar të fitimit të pronësisë.Të tilla janë kontrata e shit-blerjes dhe kontrata e dhurimit.Me anën e këtyre kontratave ju bëheni pronar më të gjitha të drejtat mbi pronën. Këtu duhet të kuptojmë që marrdhënia juridike duhet të realizohet në kushtet kur pronari i pronës së paluajtshme apo të luajtshme është ligjërisht i njohur si i tillë.
Parashkrimi fitues nënkupton fitimin e pronësisë mbi një send me kalimin e një kohe të caktuar. Në kodin Civil në Nenin 168 thuhet: “Personi që ka fituar me mirëbesim një send, në bazë të një veprimi juridik për kalimin e pronësisë dhe që nuk është i ndaluar nga ligji, bëhet pronar i këtij sendi, pas një posedimi të pandërprerë prej pesë vjetësh kur sendi është i luajtshëm dhe prej dhjetë vjetësh kur sendi është i paluajtshëm”
Nga kjo dispozitë duhet të kuptojmë që prona është lënë në mirbesim nga pronari i saj tek një person tjetër dhe ai e posedon atë pa të drejtë shitjeje për një periudhë të caktuar 5 vjeçar apo 10 vjeçar sipas përcaktimit në dispozitë. Veprimi juridik nënkupton që është kryer një veprim që ka pasoja juridike që do të thotë është nënshkruar një marrëveshje,kontratë, etj…
Ndërsa në Nenin 169 përcaktohet që: “ personi që ka poseduar qetësisht e pandërprerje, duke u sjellë sikur të ishte pronar për njëzet vjet në një pronë të paluajtshme, bëhet pronar i saj.
Me këtë dispozitë shumë qytetarë mund të thonë që po, ligji na ofron një mundësi të bëhemi pronar në tokën private të pushtuar. Por nëse ndiqet rrjedha llogjike e dispozitave nga 168 deri tek 169 kutohet që posedimi duhet të kryhet sipas rregullave ligjore. A e kanë ndjekur këtë rrugë shqiptarët në këto 20 vite? Për këtë flasin vetë faktet të cilat thonë që në gjykatat shqiptare por gjykohen me mijra çështje pronësie të cilave nuk po ju gjendet fundi. Çështje shumëpalëshe të cilat pretendojnë pronësisnë mbi një send të luajtshëm apo të paluajtshëm, ndërkohë që mbi atë send janë shteresëzuar dhe mbi vendosur shumë pronarë.
Ky grupim nënkupton dhe përfshin të gjitha mënyrat e përcaktuara në Kushtetutë dhe në Kodin Civil. Duke u bazuar në këtë ligj,Kodin Civil, del shumë qartë se si, qytetar i nderuar, mund të fitosh pronësinë mbi një send të luajtshëm apo të paluajtshëm.
Në Shqipëri pas viteve 2000 ka pasur bum ndërtimesh të cilat janë shitur ku me kontrata e ku pa kontrata e ku me mashtrime. Kjo është bërë e mundur nga padituria e qytetarëve të cilët kanë investuar për një strehë e cila nuk është e sigurt. Kjo strehë që nga momenti në moment mund të bjerë mbi kokat e tyre. Qytetarët kanë investuar mbi një send pa fryte sepse nuk ju garanton frytin kryesor , pra të drejtën e disponimit të pronës. Ndërtimet në Tiranë janë pothuajse të gjithë të pa ligjëruar dhe jo konform ligjeve sepse nëse do të ishte evediente e kundërta ,sot nuk do të egzistonin këto probleme. Pra çdo qytetar në momentin e blerjes së shtëpisë përveç kontratës së shit-blerjes do të merrte dhe çertifikatën e pronësisë. Po a e kanë kryer këtë verpim qytetarët shqiptarë? JO. Ka pasur dhe nga ata qytetarë që ngurronin ta blinin shtëpinë edhe në qiellin dhe pluhurin ajror të Tiranës , me shpresën se një ditë diku atje në lartësinë 5 apo 6 metra në ajër do të shihej një grumbull tullash dhe llac i baltosur nga një kontratë fiktive, të cilën nuk e kuptonin dhe e nënshkruanin pa hezitim.
Sot përflitet dhe nënshkruhen marrëveshje ministrash dhe kryetarësh bashkie për të të dhënë të drejtën e pronësisë. Qytetar mendohu pak dhe llogjiko ftohtë . Në botë dhe në Shqipëri, tre janë mënyrat e fitimit të pronësisë dhe këtë nuk mund t’a ndryshojë asnjeri. Shumë nga ju ndihen të gëzuar nga hapi i ndërrmarë nga kryetari i bashkisë dhe ministrat, por është një lëvizje tjetër politike që nuk do t’a zgjidhi përfundimisht problemin e pronës. Zgjidhja e k[tij problemi shihet qartë nëse zbatohet me përpikmëri ligji kushtetues dhe ai civil. Nëse ju respektoni këto parime do të keni në dorë atë që prej 20 vitesh kërkoni, të drejtën e pronës.
Deri sot problemi ky është një problem i pazgjidhshëm dhe do të mbete i tillë deri në momentin kur shqiptarët të ndërgjegjësohen për ato tri mënyra të fitimit të pronësisë dhe ligjvënësit dhe qeveritë shqiptare të hartojnë një reformë të thellë për rendin e pronave në shqipëri, rregullimin dhe pastrimin e regjistrave nga falsifikimet e dokumentave shtetërore .
Në momentin kur do të pastrohet regjistri i pronës dhe kadastrës dhe të dalin në dritë pronarët e vërtete të pronave atëhere mund të nisi proçesi legjitim i njohjes pronar të individit pushtues për pronat në fushat e Tiranës dhe individët blerës të apartamenteve prej betoni të vyshkur.
nga Stiljan Koçllari
