NATË MIZORE

- Në kujtim të katër martirëve -
MARIE SHLLAKU AT BERNARDIN LLUPI
KOLË PARUBI
GJERGJ MARTINI
Ishte nata mizore e 64 vjetëve ma parë, nata e zezë në mes 24 dhe 25 Nandorit
1946. Katër martirë nxirreshin nga Burgu i Prizrenit dhe niseshin drejt një kapanoni, ku i
priste skuadra e pushkatimit.
Ata ishin Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini.
Katër bijë të Shkodrës flijoheshin për Kosovën martire, që po kalonte një natë tjetër
të errtë nën barbarinë e Bishave të Uralit.
Vetiu lind pyetja: Përse u zgjodhen pikërisht ata që të pushkatoheshin, pse fjala
ishte për një përzgjedhje, jo për fajsi të vërtetë?
Besoj se ka një përgjigje logjike: Që të mpihej vetëdija liridashëse e popullit të
Kosovës. Ata ishin katër njerëz të dijtun e të dijtunit kanë ma shumë mundësi t’i hapin sytë
një populli për mashtrimin e madh: Pëfundimi i Luftës së Dytë Botnore për popullin
shqiptar të Kosovës nuk ishte çlirim, por ripushtim nga barbarët e maparshëm e të ri:
pushtuesit serbë.
Nuk kam mbi tryezë një arkiv dokumentash. Nuk kam as librat aq të çmueshëm të
prof. Sabile Basha. Por do të mjaftonte edhe pak, shumë ma pak, që të mund të flasish
për këto martirë, simbol i shqipes me dy krena, por me një zemer, për bijtë e Shkodërloces
flijue për Kosovë. Ja, mbi tryezë kam kujtimet e mikut tim, pejanit Shefqet Kelmendi, dy
herë i dënuem nga banda Titiste/Rankoviçjane e një herë nga banda e Enver Hoxhës;
bile, këte herë të fundit me vdekje. Po desht Zoti dhe e kemi sot e kësaj dite mes nesh,
dëshmitar të KRIMIT TE MADH KOMUNIST BEOGRAD – TIRANË. E këto shënime po i
sjell prej kujtimesh të tij.
Cilët ishin këta katër martirë e për çfarë u akuzuen?
MARIE SHLLAKU
Në një lagje të vjetër të Shkodrës, në Badre, kanë le Luigj Gurakuqi, gjuhëtari i
shquem At Justin Rrota e i vëllaj, piktori Simon Rrota, shkrimtari i madh Ernest Koliqi dhe
kardinali i parë shqiptar Mikel Koliqi. Aty ka le edhe Marie Shllaku, e bija e Markut, gjyshi i
së cilës kishte ardhë shumë kohë ma parë nga Shllaku malor e legjendar, prej nga mori
edhe mbiemnin ajo.
Si kreu shkollën e mesme pranë Kuvendit të Motrave Stigmatine, ku u dallue për
KOLË PARUBI
GJERGJ MARTINI
kulturë të gjanë që në rininë e parë: i pelqente teatri, recitimi, piktura; 20-vjeçare zotnonte
italishten, gjermanishten, frengjishten e ma vonë edhe serbishten, u regjistrue në
Fakultetin e Filozofisë në Romë, po i ndërpreu studimet e rregullta për shkak të luftës, e
shkonte sa me dhanë provimet herë mbas here.
Njëzetvjeçare, për arësye ekonomike, filloi punën në Ministrinë e Punëve Botore në
Tiranë. Ma vonë, me 25 shkurt 1943, ajo fillon punën në Prizren si Pëgjegjëse e
Financave për gjithë krahinën e Kosovës ku, përveç detyrës së saj shtetnore, ajo u lidh
ngusht me botën e trazueme të atyne trevave. Asnjë nga ata që hynin në zyrën e saj nuk
çuditeshin kur lexonin mbi kryet e saj vargjet e Fishtës:
“Ma mirë dekë nën dhé m’u kja,
Se për t’gjallë me mbetë nën shkja”.
Po ja që me 06 maj 1944, për befasinë e saj ma të madhe, i vjen pushimi nga
puna “për motive politike”. (?!)
Kthehet në Shkodër për një periudhë të shkurtë për t’u rikthye një herë e
përgjithmonë në Kosovë, tashma me një qellim të caktuem qartë: me luftue përkrah
vëllazënve kosovarë, që ato treva martire të mos ngeleshin nën thundrën e shkjaut, si
ishin gjasat mbas nënshtrimit të plotë të PKSH ndaj Beogradit.
Nandë shtatori 1944, kur hynë brigadat partizane, ate e gjen në Gjakovë. Largohet
prej aty me shumë atdhetarë të tjerë dhe i bashkohet çetës nacionaliste të Smajl Goranit.
Çfarë e kishte shtye ate vajzë të brishtë të linte Shkodrën e saj e të shkonte në
Kosovë në ato situata të turbullta, që paralajmronin qartë ardhjen e hordhive sllavo-
komuniste?
“Kam ardhë me dekë me ju”! – do t’u drejtohej ajo komandantëve të çetave
nacionalsite, si pat deklarue vetë në gjyq.
Njihet e lufton përkrah Mehmet Berishës, Ndue Përlleshit, Mehmet Gradicës e
Adem Shalës, ndërsa mbante lidhje me At Bernardin LLupin në Pejen e çlirueme; të
pushtueme, deshta me thanë, se aty kishin hy brigadat e kuqe dhe ia kishin ridorëzue me
tradhëti shkjeve.
Vajza e imtë shkodrane mahnitë kreshnikët e maleve me pjekuninë e
vendosmëninë e saj që të pajtonte komandantat e shquem Shaban Polluzha e Mehmet
Gradica, të bante bashkimin e koordinimin e luftës të rreth 50 çetave që vepronin atëherë
në Kosovë, prandaj edhe kalonte sa tek njena çetë tek tjetra, nga Ndue Përlleshui tek Ukë
Sadiku. Ajo ishte e pranishme në çdo takim të randësishëm, në çdo kuvend të burrave të
maleve; mbante fjalime e ndizte edhe ma fort zemrat e plagueme nga ripushtimi sllav.
Veçanarisht e përgjakshme ishte barbaria sllave në Drenicën e Azem Bejtës e të
Shaban Polluzhës. PKJ nuk donte të humbte kohë e t’i lante hesapet një herë e mirë jo
vetëm me kundërshtarët e asaj kohe, por edhe me ata që mund të baheshin nesër
kundërshtarë të tyne, pse, si e thonte vetë Bllagoje Nashkoviç, “këta në çdo kohë do të
çohen në kryengritje”; ndërkohë që Svetozar Vukmanoviç porosiste që “ata që keni me i
qërue, i qëroni shpejt”.
Në këte gjendje dramatike u mblodh me 20 Janar 1945, në Rrezallë të Drenicës
Kuvendi i koordinimit të luftës kundër pushtuesit të ri e të vjetër serb. Aty morën pjesë
burra të shquem, mbi të gjithë, profesor Ymer Berisha, nismëtar i Kuvendit, komandantët
Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Ukë Sadiku, Adem Shala e sa të tjerë; në mes atyne
burrave kreshnikë ishte edhe trashigimtarja e Norës dhe e Shotës, Marie Shllaku.
Do të kujtonte në hetuesi pjesë të fjalimit që kishte mbajtë në atë Kuvend: “Gjithë
vëllaznit shqipatrë, me tana forcat, duhet me luftue sllavo – komunizmin, se çdo pus e
kanë mbushë me krena shqiptarësh”.
Vendimi i Kuvendit: Luftë deri në vdekje për çlirimin e Kosovës!
Anmiku serb solli mbi 40.000 forca në Drenicën e lodhun nga dimni, nga uria, nga
mungesa e armatimeve. Filluen përleshjet në çdo shpat e grykë: qysh në betejat e para
komandanti legjendar Shaban Polluzha humb të birin, Tafën. Me 21 shkurt 1945 rrethimi u
ba i plotë, u futen në përdorim gjithë llojet e armatimeve, deri edhe topat, e në mes
martirëve që ranë, plot 430 trima, në atë luftë të pabarabartë, ishin edhe komandantët
legjendarë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica.
Në atë betejë mori plagën e parë edhe Maria jonë, bija e Shkodrës, heroina e
Kosovës.
Kushtet e reja kërkonin edhe organizimin politik të atdhetarëve. Kështu lindi
ONDSH, Organizzata Nacional Demokratike Shqiptare, ku veç kontributit të veçantë të
profesor Ymer Berishës, një rol shumë të randësishëm do të luente e kudogjetuna dhe e
zjarrta Marie Shllaku. Kjo bani që ajo të vihej shpejt në shinjestër të OZN-ës famkeqe.
Me porosi e ndihmën e At Bernardin Llupit ajo strehohet në Dubërdol, në shtëpinë e
Dan Pjetrit. Prej aty ajo do të luente një rol të jashtëzakonshëm në organizimin e Kuvendit
të Dubërdolit të Ujmirit, e bashkë me prof. Ymer Berishen dhe komandantin trim Ukë
Sadiku, do të ishin udhëheqësit kryesorë të atij Kuvendi, mbajtë me 24/25 Gusht 1945 te
Llugat e Dan Pjetrit. Fjalimi i Maries në atë Kuvend do të mbahet mend nga shumë
pjesëmarrës që mbetën gjallë, kurse ajo vetë do të kujtonte në hetuesi se kishte thanë:
“Së pari, motra dëshiron me dekë me ju e ju me te. Vetëm dorëzimi sllavo-
komunistëve të mos u bahet, sa të jemi gjallë!
Por tashma OZN-a e kërkonte kudo. Bija e Shkodërloces mori malet me çetat e
luftëtarëve të lirisë, deri me 12 shtator 1945 kur në Siqevë, bashkë me çetën e Shaban
Sadikut, u rrethuen nga forca të shumta: nga 40 vetë që kishte çeta, ranë në fushën e
betejës 28 luftëtarë, u plagosen gjithë të tjerët, mes tyne edhe Maria që mori shumë plagë,
po mbinjeriu i vërtetë ishte Alush Smajli nga Llazica me 18 plagë në trup. Në atë betejë
mbet edhe komandanti legjendar Shaban Sadiku.
Maria, e plagosun randë, si kishte ça rrethimin, ndeshet me Xhemë Bajramin e
Açarevës, që, pabesisht, ia dorëzon OZN-ës.
AT BERNARDIN LLUPI
Kishte le në Shkodër me 7 shkurt 1886. Kishte krye studimet për teologji e farmaci.
Njeri me kulturë të gjanë, njohës i anglishtes, italishtes, latinishtes, spanjishtes e
serbishtes, nuk u mjaftue me detyrën e meshtarit, por qysh prej 8 qershorit 1942, kur ishte
emnue epror në Kishen Françeskane të Pejës, e deri sa e prangosen, nuk reshti të
bashkpunonte me luftëtarët e lirisë e t’u gjendej atyne. Ai asht një ndër organizatorët,
sadoqë pa pjesëmarrjen e tij fizike, të Kuvendit të Dobërdolit dhe i Organizatës së NDSH-
së.
Si gjithmonë, kishte prej atyne që përpiqeshin të futnin përçamjen fetare, sidomos
tue qenë katolikët pakicë. Atyne ai u përgjigjej me pak fjalë e premas: “Na nuk jemi
romakatolikë, por katolikë, e para së gjithash jemi shqiptarë”. Ndërsa në një letër që iu gjet
Marie Shllakut, ai i shkruente: “Asht i lumë ai që des për Atdhe”.
Në gjyqin e Prizrenit ai akuzohet për çka kishte ba e sidomos për çka nuk kishte ba.
U mbrojt me një gojtari të rrallë. Dënimin me vdekje e priti me këto fjalë: “Vdekja si kjo,
vdekja për Shqiptarizëm, asht kapak florini”.
Si farmacist, ai ishte në prag të zbulimit të ilaçit për shkrimjen e gurëve të veshkave.
U kërkoi Organeve ma të nalta t’i jepnin një vit kohë të përfundonte kërkimet, mandej le ta
pushkatonin, por nuk iu miratue.
KOLË PARUBI
Kishte le në Shkodër me 05 Dhjetor 1905. Kreu për teologi edhe ai, por shpejt e
hoqi veldonin, se u martue me Zinën, me të cilen pat edhe një vajzë, Ninetën.
Në këto rrethana, me iu shmangë edhe trysnisë së opinionit dënues të Shkodrës
për shkelje të rregullit të beqarisë së detyrueshme prej klerikëve, largohet për në Kosovë
dhe në mars 1942 emnohet profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në atë të Pejës.
Qysh në fillim lidhi miqësi të ngushtë me profesor Ymer Berishën, ashtu edhe me
shumë personalitete të atëherëshme në Kosovë. Lidhje veçanarisht miqësore, qysh kur
erdh në Pejë, ai krijoi me At Bernardin Llupin, klerik me horizont të gjanë e pa
paragjykime.
Për nxanësit e gjimnazit ka mbetë në kujtesë një thanje e tij: “Mësoni gjuhën e
nanës. Këtu edhe zogjtë cicërojnë shqip”.
Ishte një ndër themeluesit e Komitetit Qendror të ONDSH-së me 27-29 dhjetor 1944
në Prizren.
GJERGJ MARTINI
Kishte le në Hot, në pjesën që sot e ka Mali i Zi, me datë 17 Gusht 1917. Si kryen
gjimnazin e ultë në Shkodër, ndjek dhe mbaron Normalen e Elbasanit.
Në vitin 1941 asht në grupin e parë të mësuesëve shqiptarë që shkojnë në Kosovë
për përhapjen e arsimit shqip atje. Shërben në fillim në Mitrovicë e Prishtinë. Edhe ai, si
Kolë Parubi, ishte pjesëmarrës në themelimin e ONDSH-së.
Gjergj Martini ishte edhe muzikant, sportist e i pasionuem mbas teatrit. Në Gjakovë
ai shkroi dramen “Kosovarja”, të cilen edhe e vuni në skenë po vetë.
GJYQI
Në Prizren, në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës, u zhvillyue nga data 29
qershor deri me 13 korrik 1946 gjyqi kundër 27 të pandehunve, ku ma i vjetri ishte frati me
zhgun, At Bernardin Llupi, 58 vjeç, kurse ma të rijtë, studenta në Gjimnaz të Pejës, sa i
kishin mbushë 16 vjeç, si Shefqet Kelmendi, Viktor Gashi, Engjëll Berisha, Ramiz
Kelmendi etj. Kryetar i trupit gjykues ishte egërsina Dragustin Janjiç, kurse prokuror
famëkeqi Ali Shukriu.
“Për ne nxanësit, kujton njeni prej të rijëve, ishte krenari të ishim pranë Fratit me
zhgun dhe Orleanës shkodrane”.
Akt akuza randonte sidomos katër të pandehunit shkodranë: Marie Shllakun, At
Bernardin Llupin, Kolë Parubin e Gjergj Martinin. Të ishin të vërteta të gjitha ato për të cilat
akuzoheshin, do të ishin superheroj. Por edhe ata mohuen vetëm sa nuk ishin aspak të
vërteta, e pranuen me krenari akuzën që u bante nder për veprimtarinë e tyne antiserbe.
Marie Shllaku kishte provue gjatë hetuesisë torturat ma çnjerëzore. Në sallën e
gjyqit pak kush do ta kishte njohë, po të mos e dinin për cilën bahej fjalë. Ishte krejtësisht
e shpërfytyrueme, shpesh herë nuk ishte në gjendje as të mbante drejtqendrim, por kur
fliste nuk ndjehej fill dridhërime në zanin e saj tingllues.
Pyetje: Qysh kur je marrë me politikë?
Maria: “Qysh në moshën 20 vjeç, nëse politikë mund të quhet dashunia për Atdhe,
lufta për një Shqipni Etnike bashkë me pjesët e shkëputuna, Kosovë e Çamëri.
I përgjigjej prokurorit …. Vajza e imtë, aty në mes çerdhes sllavo komuniste, me
plagë lufte në shtat, me sa e sa plagë të tjera e trupin e dërrmuem nga torturat në hetuesi,
e vetëdijëshme se e priste pushkatimi.
Pyetje: Pse keni luftue kundër partizanëve?
Maria: Me iu rrëzue ju nga pushteti.
Pyetje: Çka të lidh me Mehmet Berishën?
Maria: Ideali kombëtar.
Pyetje: Çfarë the në Kuvendin e Drenicës?
Maria: Luftë deri në vdekje për çlirimin e Kosovës.
Pyetje: Çka kishe me ba me ne, sikur të kishit fitue?
Maria: Kisha me ju gri si duhanin në çark!
Pyetje: A e di se për këto krime të pret pushkatimi?
Maria: Nuk do t’i mungojnë kurrë lulet Kosovës t’i sjellë mbi vorrin tim.
Dhe nuk iu dridh zani një herë!
U dridhën po, ata, gjakatarët, para Marie Shllakut, para Norës e Shotës njëherësh!
Vendimi:
Marie Shllaku, dënim me vdekje, pushkatim.
At Bernardin Llupi, dënim me vdekje, pushkatim.
Kolë Parubi, dënim me vdekje, pushkatim.
Gjergj Martini, dënim me vdekje, pushkatim.
Njëzet e tre të tjerët me afate të ndryshme burgimi.
NATA MIZORE
Ishte nata në mes 24 e 25 Nandorit 1946. Askush nuk e di nëse ishte ende data 24
apo kishin kalue në datën 25. Nata ishte sterrë e zezë dhe me shi e llohë bore bashkë.
Gjithkça ishte zhytë në errsinë.
Të burgosunit, në mes tyne edhe të dënuemit me vdekje, lëviznin nëpër dhomën e
madhe e të vetme ku i kishin grumbullue. Të gjithë ishin me hekura në kambë, edhe pse të
mbyllun në një dhomë burgu.
Vijnë ata, xhelatët. “Në emën të popullit ….. “. Marrin të denuemit me vdekje.
Para se me dalë, te dera, kthen kryet At Bernardin Llupi dhe u thotë të
burgosunve: “Burra!” Mos u ligshtoni për ne!
Atë çast, ende pa u largue mirë të dënuemit me vdekje, të burgosunit ia morën
kangës:
Se mjaft në robëri,
Kosovë e Çamëri!
Ishte nata mizore në mes 24 dhe 25 Nandorit 1946. Katër lisa u këputën nën
breshninë e plumbave, por nuk u përkulën.
Ishin bijtë e shqipes!
Marie Shllaku,
At Bernardin Llupi,
Kolë Parubi,
Gjergj Martini.
I lehtë u qoftë dheu në jetë të jetëve!
nga Daniel Gazulli

 

Share

Leave a Reply