Homazh per Pano Tacin

“Homazh” për Pano Taçin

 

Para pak kohësh vdiq poeti Pano Taçi, që këndoi si një legjendë e gjallë e poezisë:

“Çapitem me rrasën e varrit mbi shpinë ku gdhendur është një epitaf i vyer:

«Ky që prehet këtu u shua për dashurinë dhe pse ajo e ka zhgënyer»”

Në vend të homazhit, po e publikoj një shkrim letrar për veprën e tij poetike “Muzg”,
poemë, “Mbrothësia”, Tiranë 2000

=================

 

 

ZBULESA UNGJILLORE  E DASHURISË

 

(Pano Taçi: “Muzg”, poemë, “Mbrothësia”, Tiranë 2000)

 

Tek i ka vuajtur 24 vjet burgje, persekutime, internime e punë të detyrueshme, Pano Taçi e këndon edhe te libri i tij i fundit “Muzg” sagën e tij të trishtimit e të vuajtjes, e këndon sagën e flijimit të vetvetes për të vërtetën:

Jam një lis ku ra sopata

Qysh në brishtësinë e njomë…

Pra, që në moshë të njomë fjala e tij e lirë i provoi pengesat, i provoi sopatën e prangat e diktaturës. Ky libër, nga ana tjetër, na vjen si një romancë e kaltër dashurie, duke mos u reshtur as shkëputur prej “çapojve të Erosit të krekosur”.

 

Biblioteka tragjike e letërsisë shqipe

 

Ani se në moshë të shtyrë (ka lindur në Gjirokastër para 72 vjetësh), vetëm mbas viteve ’90 e këndej arriti të botojë libra, duke rendur gjithandej për ta gjetur e ringjallur atë që ia kishte vjedhur e vjelur jeta egërsisht:

 

E prapë me gaz

çelem sa thyhem.

 

Pa atë mburrjen se i ka shkruar kaq e kaq libra nëpër burgje, ai i botoi gjatë këtyre viteve vëllimet “Blerim i vonuar” (Tiranë, 1994, poezi e poema), “Dhe vdekja do paguar” (Tiranë, 1997, poezi), “Hukama e Venusit” (Tiranë, 1999, poezi), “Qirinjtë” (Tiranë, 2000, dramë) dhe “Muzg” (Tiranë, 2000, poemë). Këta libra, prandaj, nuk i përbëjnë vetëm lirizmin e hidhur të dhembjes e të vuajtjes së pafund e të gjatë; ata i përmbajnë, po ashtu, hovet e fundme dashurore në pleqëri të thellë, siç do të shprehej poeti Xhevahir Spahiu për lirikën e Taçit, të cilin e quan poet endacak me ndjeshmëri serembiane. 

Aq shumë e shumë kapituj tragjikë ka letërsia shqipe! Aq shumë kësi kapitujsh zbulon e rizbulon letërsia e sotme shqipe! Nuk është e rastit, prandaj, pse Pano Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike botërore, në mesin e 400 poetëve të gjallë të këtij shekulli, të cilën përzgjedhje e ka bërë asociacioni “Dub-cit” në Irlandë.

 

Me rrasën e varrit mbi shpinë

 

Poemës i prin një “Prolog”, pastaj vijnë 54 copëza lirike, të cilat i përmbyll një “Epilog”. Edhe ky libër, si të mëparshmit, thur botën e kontrasteve poetike e jetësore, si dhe poetikën dyjësore të ballafaqimeve poetike nëpër situata të ndryshme e të skajshme jetësore, të djeshme e të sotme, të burgut e të pasburgut, të muzgut të jetës e të agut të dashurisë, të mikrokosmosit jetësor e të makrokosmosit. Madje, ky mikrokosmos është mbushullimë e makrokosmosit:

 

Më bëhet se i gjej te vetja

ç’mungon te gjithësia.

Qiellit : urrejtja.

Tokës: dashuria.

 

Duke kaluar nëpër krajata të pafund jetësore, shpirtin e folësit lirik të Pano Taçit e mbërthejnë kundërthënie të shumta ekzistenciale. Vërtet, ai tani jeton i lirë, po jeta e tij është ndrydhë e shtrydhë, është bërë e padukshme, është bërë shuk, zhele, humnerë, prandaj klith:

 

ma thotë shpirti: hapu burg,

e ç’vlen të jetosh kufomë e lirë?

 

Pra, kaptina tragjike e burgut vazhdon me kapituj të rinj tragjikë të jetës së pasburgut. Posa i është hapur dera e jetës, posa e ka lënë prapa ferrin e tiraninë e diktaturës; shtrëngohet të ndeshet ballë për ballë me realitetin e rëndë, me njëmendësinë tepër të ashpër të fyerjes, të përbuzjes e të varfërisë; ky është fati që i pret të posaliruarit. Duke u revoltuar kundër një jete të tillë në kërkim të mehlemit për dhembjen e në kërkim të paqes për shpirtin; ai tani nuk është asgjë tjetër pos një pasqyrë e thyer, në të cilën, në muzgun e jetës, i përgjaket ëndrra e fundit. Mirëpo, vetëm ai është i prekuri, i përgjakuri, i lënduari e i vetakuzuari në këtë arenë të plagosshme të jetës. Copëzat lirike, si troha shpirti të mbledhura mundimshëm e dhembshëm, pushojnë të akuzojnë ndonjë njeri. Përkundrazi, këto copëza ngërthejnë shumë ngrohtësi, siç e lexon ankthshëm e ndjeshëm këtë lirikë Visar Zhiti, një tjetër bashkëvuajtës e vëlla për nga vargu poetik me Taçin.

 

Si në një rrëfimore, folësi lirik i kësaj poezie i paraqet drejtpërsëdrejti përvuajtjet mëkatare të zemrës së tij, së bashku me këngën e zemrës së lënduar. Janë këngë-monument, të kredhura brenda një baltimi: “Bëj të gdhendem bust i gjallë”. Shndërrohet në një faltore për të kunguar shenjt e djall. Krijuesi nuk ndalet: endet nëpër hone shpirti, nëpër kohë ulërimash, nëpër vitet gri i rrëshqet jeta, pa ngrohtësi shtëpie “si barka me flakë nëpër dallgë”: ç’figurë e ç’botë e kontrastuar aq mahnitshëm!

 

Pa gjetur solidarësi njerëzore, ai e bart “rrasën e varrit mbi shpinë”.

 

Loja orfeike e shpirtit

 

Tufëzat psiko-lirike dhe tufëzat narrative-jetësore këmbehen me copëzat lirike të dashurisë. Tek gjendet në muzgun jetësor, ai nuk kërkon shtegdalje as në humbellat mistike të ëndrrave, as në labirinthet e besimeve të përshpirtshme, as në lashtësitë mitologjike e as në ekzotikën e hapësirave e të shtegtimeve pa cak. Prehjen e tij shpirtërore do ta kërkojë në kosmogoninë orfeike të dashurisë. Te kjo ndjenjë ai gjen drejtpeshimin e tij jetësor. Kjo këngë orfeike e kërkon Euridikën e tij jetësore nëpër fanitjet, nëpër obsesionet e nëpër monologët e gjatë, mbushulluar me dhembjet e muzgut të tij jetësor. Kjo ndjenjë i jep dritë këtij muzgu, e ngazëllen shpirtin e tij të terratisur. Loja e muzgut jetësor e këmben hapin e valles së tij me lojën magjike të dashurisë. Një lojë orfeike e shpirtit që e nxjerr në pah, me anë të ligjërimit poetik, epistemën dhe semiotikën e mitit të moçëm të dashurisë. Këto vargje, sado që janë të shkruara në çastet e përvojës së rëndë jetësore; pikërisht nga kjo përvojë ato shkëpusin frymën e magjishme e të madhërishme të jetës e të dashrusië. Erosi i terratisur në muzgun e tij jetësor, ngadhënjen me patosin e tij plot gaz e dritë: “Po unë jo, s’ jam akullnajë/ me dhembjen poshtë e gazin lart/ që të më shkrijë mëshirë e saj/ e dhjetra sytha të çelë prapë.” Po njaj delir orfeik i shpirtit nuk do të kërkohet për t’i humbur brigjet, po për t’i gjetur ato, për të arritur te ato. Dashuria nuk këndohet si ndjenjë që e cfilit dhe e lëkund shpirtin e krijuesit, por si ndjenjë që vë kika drejtpeshimi në qenien e tij, për t’ i dhënë kuptim jetës së tij, si një “humbellë ku buron nata/ e përflakur nëpër komë”. Ai nuk e kërkon në lirikën e dashurisë demonotopinë e Markiz de Sadit, ku gjëllijnë së bashku erotizmi me krimin, me sodominë, me blasfeminë apo me perversitetin dashuror. Me këso temash të perveristeteve të tilla është e mbushur letërsia e sotme shqipe, sidomos e dekadës së fundit. Taçi e kërkon, para së gjithash, dhembjen që e bart “si krillë e plagosur” përjetshëm, e shkaktuar nga shigjeta e Kupidonit. Ai nuk thur ndonjë erotologos, siç veprojnë poetët metafizikë, por shkruan për t’i zënë kulmet e lumturisë dhe kulmet dramatike të kësaj ndjenjeje:

 

Çapitem me rrasën e varrit mbi shpinë

ku gdhendur është një epitaf i vyer:

“Ky që prehet këtu u shua për dashurinë

dhe pse ajo e ka zhgënyer”.

 

Ky “Epilog” në fund të poemës qëndron një si lament poetik mbi jetën dhe dashurinë e tij. Barra sizifiane e jetës së Pano Taçit i ngjet rrasës së varrit që e bart me vete e që e përgjak pandërprerë. E pra, ai nuk është ndonjë Sizif që i mungon barra e rëndë e mundimeve dhe e të idealeve jetësore për t’u ngjitur drejt majës. Përpjetëzes së këtij Mali të Vuajtjeve, ai e shpall pengun e tij të muzgut jetësor. Shpall Zbulesën Ungjillore të dashurisë.

 

nga Prend Buzhala

 

Share

Leave a Reply