Feste poetike ne Dodone – Java Came

 

Festë poetike në Dodonë

I’a bëtë ftesat

Filozofëve Ilirë, ushqyer me kulloshtrën e fjalëve

ushqyer me damarët e burimeve thesprote?

I’a bëtë ftesat zogjve, pelikanëve

tek hepohen në lishareset e Ikjes?

O, sa të dehur janë nga Dëshira e pamatë e Kthimit,

të gdhendur bukurisht si hyjnesha të gjalla, anonime Ilire…!

 

Mos keni harruar diku

djemtë e nënat që u kacavirrën trarëve të djegur?

Mbase s’kanë lexuar kurrë poezi,

Po, testamentet poetike të botës veniten para ndarjes se dhimbjes.

Dodona zgjoka në këtë Festë tragjeditë antike

E , në një garë i futka poetët

Për të shkruar elegji, për Vdekjen e himne për Lindjen.

 

Me kalin e kësaj ere detare

I’a bëni një zë Vajzës së Valëve, diku në shkëmbin që rënkon!

Një thinjë më pak, do të ketë në këtë breg të Ringjalljes

Tek të dëgjojë poetët zëbajrakë

Krushq të kahershëm, të Diellit e Jehonës

Kapërthyer në currilat e pambaruar të fjalës.

 

Mos keni harruar

Poetët anonimë pellazgë, të mbledhur te Ura e Artës*?

Akoma s’keni ndarë

Kurorat me gjethe ulliri, kokërrmbushur!!??

Kush tha

se  s’janë, më të florinjta se emblemat e Kohës buzëplasur?

Kush gjykon për drejtësi

Jurinë nobeliste, në shkallën e Dodonës ulur?

 

 

I thoni Bukuroshes Dora D’Istria

T’i krehë sërish flokët, në një pasqyrë ujëvarash!

Kopetë e reve qiellore

T’a mbajnë si monument, ku e ardhmja gdhendet .

Kur nisi Festa?

A, mos pyet se kur ngrihet dollia e fundit!

Të gjithë Peshkatarët e Shpirtrave të Botës, këtu ulin velat.

Këtu, stisin urat.

Këtu, hapin portat e këngëve.

 

Mos harroni një ftesë

Për De Radën 200- vjeçar, më i thinjur se të thinjurit!

Sirenat e Dodonës

Në Odise e paskan kthyer, Plakun e Makit mes ullinjve të largët.*

Le të marrë për dore si Kryegjysh Kalabrie, gjithë fëmijët e lindur,

E trastën me vargjet e rinj, për Çamërinë

Të na e hedhë vëllazërisht, në Sofrën e Festës së Fjalës.

 

Me Bajronin

T’a pimë një kafe shqiptarçe, në shilte ulur këmbëkryq.

Fjalët e pathëna për Sulin

Në shkallë të Dodonës, të na i thotë sërish i lumturuar .

Më tej, t’ia marrim një valleje trimash

Me puthadorën e Tokës, ku Jugu fryn e fryn

Gjunjët t’i shplodhim

Nën hijen e Lisit*, ku agimi na gjen syprushëruar.

 

Po mos harroni Stambollin, ku këngën merr Bosfori

Më këmbë do të vijë Profesor Tahsini *

Në supe, ngarkuar me shkronja.

Mbreti Pirro

sot e ka lënë një çast në mill shpatën trimërore

E nis të dëgjojë poetët e truallit,  ku lavdia thur kurora.

 

I,a bëni dhe një ftesë, Fatos Vlonjatit*, ku Joni psherëtin!

Po si i rrihet pa mbledhur një këngë të re,

Po si i rrihet në shtrat pa dollinë e këngës çame?

Shihni Bilal Bukurinë *

Se si plagët i’a than, melhemi i poezisë

Shihni se si kapërcen oqeanet, me baladën e re për dore.

Pa pyetur për thika tehgjakosura e tufane.

 

Eeeej, kaq shpejt mbaruan ftesat …???!!!

 

 

*Dora D’Istria-rilindase e shquar me origjina nga Parga e Çamërisë, qytet i rëndësishëm i kësaj krahine 

*Sipas studimeve të fundit për mitologjinë udhëtimi i Odesesë për në Itakë i rrëfyer poetikisht në veprën “Odiseja” të Homerit mendohet të ketë kaluar në Çamëri_(Shih veprën e Vaso Toles!)

*Tahsini-Profesori Hasan Tahsini lindur në Ninat të Konispolit e që më vonë u bë Rektori i parë i Univerisitetit të Stambollit 

*Fatos Vlonjati- bëhet fjalë për mbledhësin e talentuar të folklorit çam në dhjetra vite Fatos Mero Rrapaj

*Bilal Bukuria –poeti disident çam Bilal Xhaferri ,i cili vdiq tragjikisht në SHBA

 

 

nga Namik Selmani
në nder, të Javës Çame

 

Share

Leave a Reply