DHURATE PER DITELINDJE
DHURATË PËR DITËLINDJE
“Heshtja është ar” thonë serbët dhe sikur ta kenë thënë që neve të na mbyllin gojën, se ata për vete veç flasin edhe janë shumë të zhurmshëm bile. Me qenë se dua të shkruaj në raport me ta , unë them “Heshtja është hiç dhe ajo shumë rrallë flet” , prandaj si e tillë ajo duhet thyer, me shkërmoqjen e saj fillon gjithça.
Sikurse çdo herë dhe pa fajin e tyre edhe kësaj rradhe shqipëtarët e Luginës së Preshevës (trupi votues) ndodhen para dilemës (edhepse dilema s’duhet të ekzistojë) “me dal a mos me dal” në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.
Them pa fajin e tyre sepse fajin e kanë të tjerë , fajin e kanë :
- Politika qendrore karshi tyre ( gjithmonë diskriminuese) ,
- Udhëheqësit politik lokal dhe
- Sidomos mungesa e një platforme kombëtare e orientimit të politikave
Kur them para dilemës , kam parasysh ata që mendojnë kombëtarisht dhe ata të papërcaktuarit partiakisht sepse ata që ja kanë deleguar të menduarit e tyre kryetarit të partisë e kanë të zgjidhur dilemën , vetëm se janë të ndarë në dy taborre , në taborrin që i thërasin ndjekësit e tyre ti bojkotojnë ato (PDSh dhe LKSh -PUSHTETI LOKAL në Preshevë) dhe në taborrin tjetër që i thërrasin ndjekësit e tyre që ta hedhin edhe votën për të zgjedhurit qendror (PVD , LPD , UDSh dhe BDL -OPOZITA LOKALE në Preshevë respektivisht Pushteti Lokal në Bujanoc ).
E keqja , mendoj unë , nuk qëndron te thirrjet e tyre por te mosarsyetimi i thirrjes , as taborri KUNDËR dhe as taborri PËR nuk japin arsyetime të forta për thirrjet e tyre.
Arsyetimet e tyre shkojnë nga “nuk janë zgjedhjet tona, ato janë zgjedhje serbe” , “Serbia po provokon se do ti organizojë edhe në Republikën e Kosovës , prandaj nuk duhet të marrim pjesë në to” e arsyetime të tjera të ngjashme vijnë nga taborri KUNDËR.
Ndërsa arsyetimet e taborrit PËR janë “edhe zgjedhjet lokale janë serbe prandaj pse mos të marrim pjesë edhe në ato qendrore” ose arsyetimi tjetër banal jopublik “pse mos me i marr nji ose maksimumi dy rroga deputetësh dhe mjete materiale të tjera që jep republika për pjesëmarrje në këto zgjedhje “ hahaha “po qeshem se s’po muj me qa” do të thoshte një poet yni.
Shkrimin e fillova me thirrjen për me thy heshtjen , jo se mungojnë zërat , por le ta kthejmë kakafoninë në një zë të artikuluar mirë e të arsyeshëm , që të kumbojë “gjer lart në re” e t’ja zgjidhim dilemën “me dal a mos me dal” atyre që më së paku kanë faj. Le të shtohen zërat , por bashkë me zërat edhe arsyetimet , le të përplasen ato dhe le të triumfojë arsyetimi më i shëndoshë dhe le të deklarohemi si një trup i vetëm karshi tyre , KUNDËR ose largqoftë edhe PËR , por si një trup i vetëm ama.
Brenda shtëpisë sonë (Luginës) le të ketë zëra të ndryshëm , le ta “luftojnë” njëri tjetrin se kush më mirë e ka drejtuar e do ta drejtojë atë , por në raport me pushtetin qendror (gjithmonë diskriminues) të dalim me një zë, nëse jo për asgjë tjetër të paktën me bindjen se më mirë dhe më fortë dëgjohemi.
Për interesa të vogla edhe ata më agresivët (në tërë kuptimshmërinë e fajalës) me njëri-tjetrin na kanë dëshmuar se mund të bashkohen , le ta dëshmojnë këtë kësaj rradhe dhe le të bashkohemi KUNDËR atyre që gjithmonë kanë qenë kundër nesh.
Derisa nuk fillojmë ti zgjidhim nyjet që na mbajnë lidhur , të paktën mos ti shtojmë ato. Të dalim njëherë të bashkuar në një zë e ti themi “Nuk dalim në zgjedhjet tuaja derisa nuk kemi forcën për të ndryshuar, nuk dalim sa për ti fshirë duart dhe fytyrën tënde para botës demokratike”.
T’ia bëjmë një dhuratë Shqipërisë për ditëlindjen e saj të 100 , rast më i mirë zor se do të na jepet ndonjëherë.
nga Bashkim Kombi
